Punësimi sezonal

1. Rregulla të përgjithshme

Punësimi sezonal në Bashkimin Evropian rregullohet nga Direktiva 2014/36/BE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e datës 26 shkurt 2014, “Për kushtet e hyrjes dhe qëndrimit të shtetasve të vendeve të treta për qëllime punësimi si punëtorë sezonalë”.
https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/ALL/?uri=CELEX:32014L0036

Direktiva përcakton se shtetet anëtare të BE-së duhet të caktojnë një qëndrim maksimal për punëtorët sezonalë nga 5 deri në 9 muaj në çdo periudhë 12-mujore.

Pasi të kenë hyrë në një nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, punëtorët sezonalë kanë të drejtë të zgjatin kontratën e punës ose të ndryshojnë punëdhënësin, me kusht që të plotësojnë kushtet e hyrjes dhe të mos ketë arsye për refuzim. Brenda qëndrimit maksimal të lejuar, shtetet anëtare të BE-së mund t’i lejojnë punëtorët sezonalë që të zgjatin kontratën e tyre me të njëjtin punëdhënës më shumë se një herë, si dhe të kenë kontrata me më shumë se një punëdhënës.


Punëtorët sezonalë kanë të drejtën e trajtimit të barabartë me shtetasit e vendit pritës për sa i përket kushteve të punësimit të tilla, si: mosha minimale e punës, kushtet e punës (paga, orari i punës, orët e pushimit, ditët e pushimit) dhe mbrojtja e shëndetit dhe e sigurisë në punë.

Por, punonjësit sezonalë, në dallim nga ata që pajisen me Kartë Blu, nuk mund të marrin me vete familjen e tyre në shtetin pritës dhe nuk mund të përfitojnë të drejta të tjera të lidhura me papunësinë, përfitimet familjare etj. Ata nuk mund të përfitojnë as nga programet e ndryshme të strehimit që mund të ketë shteti pritës, siç është dhënia e banesave sociale ose mbështetja me pagimin e një pjese të qirasë.

Punëtori sezonal ka të drejtë të banojë vetëm në shtetin anëtar, për të cilin është lëshuar leja e punës.


Kërkesa për vizë, leje pune ose leje qëndrimi (në varësi të vendit të BE-së dhe kohëzgjatjes së qëndrimit tuaj) duhet të paraqitet tek autoritetet kombëtare kompetente të vendit të BE-së ku do të punoni.

Kërkesa duhet të paraqitet përpara hyrjes në shtetin anëtar të Bashkimit Evropian. Shërbimet e imigracionit të shtetit anëtar të BE-së do të vendosin në lidhje me kërkesën sa më shpejt të jetë e mundur dhe brenda maksimumit prej 90 ditësh.