Rregulla të përgjithshme
Direktiva (EU) 2016/801 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e datës 11 maj 2016, “Mbi kushtet e hyrjes dhe qëndrimit për shtetasit e vendeve të treta për qëllime kërkimi, studimesh, trajnimi, shërbimi vullnetar, skemave të shkëmbimit të nxënësve ose projekteve arsimore dhe au pairing”, rregullon ndër të tjera, hyrjen dhe qëndrimin e shtetasve shqiptarë për qëllime trajnimi dhe punë vullnetare në Bashkimin Evropian.
Personat që kërkojnë të shërbejnë si vullnetarë, duhet të plotësojnë kushte të ngjashme me ato të stazhierit. Në veçanti, ata duhet të paraqesin një marrëveshje me institucionin pritës ose institucionin përgjegjës për skemën e shërbimit vullnetar, në të cilin ai do të marrë pjesë. Marrëveshja duhet të tregojë përshkrimin e punës që do të kryhet, kohëzgjatjen, kushtet e kryerjes së punës dhe të mbikëqyrjes së vullnetarit, orët e punës, mënyrën e mbulimit të shpenzimeve, trajnimin që do të marrë vullnetari, pagesën e sigurimeve shëndetësore, trajnimin në gjuhën e huaj që ka marrë ose do të marrë etj.
Leja e qëndrimit për stazhierin ose vullnetarin do të zgjasë aq sa është kohëzgjatja e stazhit/periudhës së vullnetarizmit, maksimumi një vit. Në raste të jashtëzakonshme, leja e qëndrimit mund të rinovohet një herë.
Shtetet anëtare kanë detyrimin që t’u sigurojnë stazhierëve dhe vullnetarëve trajtim të njëjtë me atë që u japin shtetasve të Bashkimit Evropian.