Studimi në Bashkimin Evropian

1. Rregulla të përgjithshme

Direktiva (BE) 2016/801 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e datës 11 maj 2016, “Mbi kushtet e hyrjes dhe qëndrimit të shtetasve të vendeve të treta për qëllime kërkimi, studimi, trajnimi, shërbimi vullnetar, skema të shkëmbimit të nxënësve ose projekte arsimore dhe au pairing”, përcakton rregullat bazë të Bashkimit Evropian për hyrjen e shtetasve të vendeve të treta (përfshirë Shqipërinë) për qëllime studimi.
https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=CELEX%3A02018R1806-20210101

Direktiva u njeh studentëve dhe kërkuesve shkencorë të drejtën që të trajtohen në mënyrë të barabartë me shtetasit e BE-së. Studentët mund të punojnë jashtë orarit të studimit dhe vendet e BE-së nuk lejohen të kufizojnë orët e tyre të punës nën 15 orë në javë. Shtetet anëtare mund të përcaktojnë kufirin e sipërm të orëve të punës që mund të punojë një student, duke pasur parasysh edhe kushtet e tregut të punës. Studenti ose punëdhënësi duhet të informojnë autoritetet përkatëse kombëtare në lidhje me punën që kryen studenti dhe orët e punës. Në disa shtete anëtare, studenti mund të fillojë punën vetëm pasi të ketë qenë rezident për një vit në këtë shtet. Gjatë punësimit zbatohen të njëjtat rregulla për pagesën, shëndetin dhe sigurinë në punë si për shtetasit e vendit anëtar të Bashkimit Evropian.

Studentët dhe studiuesit kanë të drejtë të qëndrojnë për të paktën 9 muaj pas përfundimit të kërkimit ose studimeve, për të kërkuar punë ose për të krijuar një biznes. Anëtarët e familjes së studiuesve lejohen të bashkohen me ta në kushte specifike.

https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/ALL/?uri=CELEX:32016L0801


Në rastin e studentëve, ata duhet të jenë pranuar në një institucion të arsimit të lartë për të ndjekur një kurs studimesh me kohë të plotë që çon në një kualifikim të arsimit të lartë, si: diplomë, certifikatë ose doktoraturë.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian mund të kërkojnë që për shqyrtimin e aplikimeve të zbatojnë tarifa të ndryshme administrative. Direktiva nuk i përcakton këto tarifa, por kërkon që ato të jenë proporcionale dhe jo të tepruara.

Për studimet që zgjatin më shumë se një vit, lëshohet një leje qëndrimi e vlefshme për të paktën një vit. Leja është e rinovueshme nëse studenti vazhdon të plotësojë kushtet e nevojshme, por ai mund të duhet të paguajë një tarifë rinovimi. Nëse periudha e studimit është më pak se një vit, leja e qëndrimit do të mbulojë vetëm periudhën e studimit.

Aplikimet për leje qëndrimi duhet të bëhen pranë autoriteteve kombëtare të vendit në të cilin  studenti do të studiojë.

2. Udhëzime të përgjithshme për aplikimin

Institucionet e arsimit të lartë në shtete të ndryshme anëtare kanë afate të ndryshme për paraqitjen e aplikimeve. Aplikimi duhet të përmbajë të gjithë informacionin e kërkuar nga institucioni i arsimit të lartë, përndryshe aplikimi do të refuzohet administrativisht pa u shqyrtuar.

Transferimi i krediteve dhe diplomave bëhet bazuar në Sistemin Evropian të Transferimit dhe Grumbullimit të Krediteve (the European Credit Transfer and Accumulation System (ECTS)). Ky Sistem lejon edhe vlerësimin e ngarkesës së studimeve për çdo institucion ose degë studimi. Si rregull, një vit shkollor është i barasvlershëm me 60 kredite. Programet e ciklit të parë japin si rregull 180 deri në 240 kredite, ndërsa studimet e ciklit të dytë shkojnë nga 60 në 120 kredite.