Punësimi në Bashkimin Europian

Rregullat e imigracionit nuk janë të njëjta në shtete të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian.

Për këtë arsye, përveç njohjes së rregullave në nivelin e Bashkimit Evropian, është e rëndësishme edhe njohja dhe respektimi i rregullave të veçanta në çdo shtet anëtar. Po ashtu, edhe kërkesat për leje pune/qëndrimi duhet t’u drejtohen gjithmonë autoriteteve të shtetit anëtar të Bashkimit Evropian, në të cilin kërkoni të punësoheni.

Karta Blu

1. Rregulla të përgjithshme

Në vitin 2009, Bashkimi Evropian miratoi Direktivën e Këshillit 2009/50/KE të datës 25 maj 2009, “Mbi kushtet e hyrjes dhe të qëndrimit të shtetasve të vendeve të treta për qëllimet e punësimit tepër të kualifikuar”.
https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/ALL/?uri=CELEX:32009L0050

Kjo Direktivë synon t’u japë punëtorëve me kualifikim të lartë nga jashtë BE-së të drejtën për të jetuar dhe punuar në një shtet anëtar të BE-së, me kusht që ata të kenë kualifikime më të larta profesionale, si: diplomë universitare dhe një kontratë pune ose një ofertë pune të detyrueshme me një pagë të lartë krahasuar me pagën mesatare në shtetin anëtar të BE-së, në të cilin ata aplikojnë për leje pune/qëndrimi. Karta Blu e BE-së aplikohet në 25 nga 27 shtetet anëtare të BE-së. Karta Blu nuk zbatohet në Danimarkë dhe Irlandë. Edhe shtetet e asociuara në Zonën Shengen (Zvicra, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda) nuk e aplikojnë Kartën Blu.

Nëse një shtetas i një vendi të tretë ka një Kartë Blu të BE-së, pas 18 muajsh punë të rregullt ai mund të transferohet në një shtet tjetër anëtar të BE-së për të marrë një punë tjetër. Ai duhet të njoftojë autoritetet e shtetit të ri anëtar brenda një muaji nga mbërritja e tij.

Në rast se mbajtësi i Kartës Blu humb punën brenda tri viteve të para, ai ka tre muaj kohë për të gjetur një punë tjetër, përndryshe duhet të largohet nga Zona Shengen.


2. Kushtet Bazë të marrjes së Kartës Blu

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk zbatojnë të njëjtat kritere në përcaktimin e termit “kualifikime të larta profesionale”. Për shumicën e shteteve anëtare që lëshojnë Kartën Blu, kualifikime të larta profesionale janë kualifikimet e provuara me dëshmi të studimeve që kanë zgjatur të paktën tre vjet. Kjo nënkupton çdo diplomë, certifikatë ose dëshmi tjetër të kualifikimeve formale, të lëshuara nga një autoritet kompetent, që vërteton përfundimin me sukses të një programi të arsimit të lartë pas ciklit shkollor të mesëm (pas shkollës së mesme). Kjo diplomë duhet të jetë lëshuar nga një institucion arsimor, i cili është i njohur si institucion i arsimit të lartë nga Shqipëria. Kualifikimet e fituara në Shqipëri duhet të njihen nga shteti anëtar, në të cilin paraqitet kërkesa për Kartë Blu. Kjo do të thotë që duhet një njohje formale nga një autoritet kompetent për vlefshmërinë e kualifikimit në Shqipëri. Njohja formale komplikohet nëse punësimi kërkohet në një nga profesionet e rregulluara në shtetin anëtar të Bashkimit Evropian. Profesione të rregulluara janë profesioni i mjekut, infermierit, mamisë etj.

Informacioni në lidhje me Klasifikimin Ndërkombëtar Standard të Vendeve të Punës mund të gjendet në këtë lidhje: https://www.ilo.org/public/english/bureau/stat/isco/docs/resol08.pdf. https://en.wikipedia.org/wiki/International_Standard_Classification_of_Occupations.

Grupi kryesor 1 është ai i menaxherëve, ndërsa grupi kryesor 2 është ai i profesionistëve. Në këtë grup përfshihen: fizikanë, kimistë, gjeologë, matematikanë, statisticienë dhe aktuarë, biologë, botanistë, inxhinierë elektrikë, mekanikë, prodhimi, mjedisi, kimikë, metalurgë, inxhinierë minierash etj. Në këtë grup përfshihen edhe mjekët, infermierët, mamitë, veterinerët, dentistët, farmacistët, fizioterapeutët, mësuesit e arsimit fillor, të mesëm ose profesional dhe ata të arsimit të lartë.

Në çdo rast vërehet se numri i shteteve të Bashkimit Evropian që kanë nevojë për punëtorë në profesione të caktuara, është duke u rritur. Madje, nevoja për profesionistë të caktuar po rritet edhe në vendet që u anëtarësuan në Bashkimin Evropian në vitin 2004, për shembull, Sllovakia është duke shqyrtuar lehtësimin e kushteve për shtetasit e vendeve të treta (jashtë Bashkimit Evropian) për t’u punësuar në sektorin e shëndetësisë.


[2]      https://ec.europa.eu/migrant-integration/news/slovakia-proposal-facilitates-access-labour-market-tcn-healthcare-professionals_en

3. Rregullat e reja për Kartën Blu

Direktiva Direktiva e Këshillit 2009/50/KE e datës 25 maj 2009, “Mbi kushtet e hyrjes dhe të qëndrimit të shtetasve të vendeve të treta për qëllimet e punësimit tepër të kualifikuar” është shfuqizuar tashmë nga Direktiva (BE) 2021/1883 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e datës 20 tetor 2021, “Mbi kushtet e hyrjes dhe të qëndrimit të shtetasve të vendeve të treta për qëllimet e punësimit tepër të kualifikuar”, dhe shfuqizimin e Direktivës së Këshillit 2009/50/KE. Kjo Direktivë e re liberalizon edhe më tej kushtet për marrjen e lejes së punës/qëndrimit në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Këto rregulla të reja duhet të fillojnë të zbatohen nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, jo më vonë se data 18 nëntor 2023.   https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=CELEX%3A32021L1883

Për këtë arsye Direktiva parashikon kritere më fleksible, duke përfshirë një prag më të ulët për pagën minimale që duhet të fitojnë aplikantët për t’u kualifikuar për të marrë Kartën Blu. Direktiva, gjithashtu, zgjeron të drejtat e përfituesve për ta bërë më të lehtë lëvizjen brenda BE-së dhe ribashkimin më të shpejtë me familjen.

Direktiva e re lejon që aplikantët të paraqesin një kontratë pune të vlefshme për të paktën gjashtë muaj, në vend të 12 muajve që kërkohen aktualisht. Po ashtu, Direktiva e ul pragun e pagës më të ulët në 1 dhe jo më shumë se 1.6 herë pagën mesatare vjetore bruto të shtetit ku kërkohet punësimi.

Mbajtësit e Kartës Blu mund të lëvizin më lehtë në një vend tjetër të BE-së, një vit pasi kanë punuar në vendin ku janë vendosur për herë të parë. Familja e tyre mund t’i shoqërojë.