Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive është institucioni përgjegjës për koordinimin e politikave shtetërore në fushën e punësimit. Agjencia e realizon këtë detyrë përmes Drejtorive Rajonale të Ofruesve të Formimit Profesional Publik. Këto Drejtori Rajonale ofrojnë kurse të ndryshme të formimit profesional (formim, riformim dhe riaftësim profesional), për fitimin e kualifikimeve të nevojshme profesionale për t’iu përshtatur kërkesave të tregut të punës.
Në vendin tonë zhvillojnë aktivitetin e tyre 10 Drejtori Rajonale të Formimit Profesional Publik në qarqet: Tiranë (2), Durrës, Shkodër, Vlorë, Fier, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, si dhe Qendra Lëvizëse në të gjithë rrethet e zonës Verilindore (Kukës, Dibër, Pukë, Mat, Bulqizë, Has, Tropojë), të cilat ofrojnë trajnime afatshkurtra në profesione të kërkuara nga tregu i punës.
Qendrat Publike të Formimit Profesional ofrojnë kurse në nivel kombëtar dhe kurse në nivel qendre. Ndërsa kurset e nivelit kombëtar janë të njëjta për të gjitha qendrat në vend, ato në nivel qendre janë kurse specifike që ofrohen nga qendrat profesionale në funksion të kërkesave që kanë bizneset lokale etj.
Për sa i përket kohështrirjes, zakonisht kurset kombëtare janë kualifikime afatgjatë, (por jo më shumë se 2 vite), ndërsa ato në nivel qendre janë afatshkurtra dhe shërbejnë kryesisht për kualifikime të shkurtra, në funksion të bizneseve lokale dhe për procese të ndryshme teknologjike. Në përfundim të kurseve, kursantët pajisen më certifikatë.
Për të gjithë punëkërkuesit e papunë, ofrimi i kurseve të formimit në këto qendra është pa pagesë. Të dhënat e Agjencisë tregojnë se nga 7427 kursantë të regjistruar gjatë vitit 2020 në Qendrat Publike të Formimit Profesional, 4558 ose rreth 61% prej tyre kanë përfituar kualifikime profesionale pa pagesë. Këta janë të papunë të regjistruar në zyrat e punësimit dhe aftësive dhe persona që vuajnë dënime me heqje lirie. Nga statistikat e raportuara nga Agjencia nuk rezulton se personat e regjistruar për emigrim të kenë përfituar falas pjesëmarrjen dhe certifikimin në kurset e organizuara nga ofruesit publikë.
Edhe pse në ulje, gjatë vitit 2020, kurset për mësimin e gjuhëve të huaja vazhdojnë të jenë prezent me 9% të totalit të kursantëve, kryesisht nga të punësuarit dhe nxënësit e shkollave. Mësimi i gjuhës gjermane tregon rritje të kërkesave.
Kurset e profesioneve më të frekuentuara, në raport me totalin e pjesëmarrësve, janë:
Të rinjtë përbëjnë rreth 55% të totalit të pjesëmarrësve në kurset profesionale pranë Qendrave të Formimit Profesional Publik. Në pjesën më të madhe të kurseve, pjesëmarrja e të rinjve ngelet mbi 50%. Personat me nivel arsimor të mesëm përbëjnë 55% të totalit të pjesëmarrësve. Në pjesën më të madhe të kurseve, personat me arsim të mesëm përbëjnë mbi 45% të pjesëmarrësve në çdo kurs.