Kuadri Ligjor

Emigrimi i ligjshëm për arsye punësimi rregullohet nga Ligji Nr. 9668, datë 18.12.2006 “Për emigrimin e shtetasve shqiptarë për motive punësimi”, https://qbz.gov.al/eli/ligj/2006/12/18/9668/f17925d0-49e2-478a-bfb2-3d4d2bac6ab5 i ndryshuar nga Ligji Nr. 10389, datë 3.3.2011 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 9668, datë 18.12.2006 “Për emigrimin e shtetasve shqiptarë për motive punësimi”. https://qbz.gov.al/preview/92885b66-4bd8-4c53-9e1b-42e9ed965aca


Ky ligj rregullon edhe formimin profesional nëpërmjet punës së shtetasve shqiptarë në një vend të huaj. Ligji i njeh çdo shtetasi shqiptar të drejtën për të emigruar nga territori i Republikës së Shqipërisë. Kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm në rastet kur cenohet siguria kombëtare, shëndeti dhe morali publik, të drejtat dhe liritë e të tjerëve, si dhe kur ka një vendim gjykate të formës së prerë.

Ligji përcakton qartë se qëllimi i tij është përkujdesja, mbrojtja, ruajtja e identitetit kombëtar të shtetasve shqiptarë, mbajtja dhe forcimi i lidhjeve të tyre me vendlindjen gjatë kohës që janë të punësuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Për këtë qëllim, Ligji synon menaxhimin e proceseve migratore, mbrojtjen e të drejtave politike, ekonomike dhe sociale të emigrantëve, parandalimin e emigrimit të parregullt dhe të trafikimit të qenieve njerëzore, duke zgjeruar kanalet e emigrimit të rregullt dhe rritjen e bashkëpunimit me partnerët socialë, OJF-të e njohura ligjërisht, vendase dhe të huaja dhe agjencitë private të punësimit.

Subjekte të këtij ligji janë edhe shtetasit shqiptarë, të cilët kanë emigruar në mënyrë të rregullt dhe janë punësuar ose vetëpunësuar e qëndrojnë në një vend të huaj ose nuk janë larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë, por janë regjistruar pranë autoriteteve shtetërore përgjegjëse, organizatave dhe agjencive private e publike të punësimit në Republikën e Shqipërisë, që organizojnë punësimin jashtë vendit, si kandidatë të mundshëm për të emigruar për punësim apo formim profesional nëpërmjet punës jashtë vendit, ose ata që kanë marrë leje qëndrimi/pune dhe janë në prag të largimit.

Ligji përcakton se ministria përgjegjëse për punësimin është autoriteti përgjegjës për hartimin e politikave dhe legjislacionit për emigrimin për arsye punësimi. Në këtë mënyrë, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme menaxhojnë dhe mbikëqyrin të gjitha aspektet e emigrimit për motive punësimi, monitorojnë dhe vlerësojnë veprimtarinë e agjencive private të punësimit, bashkërendojnë procesin e informimit të shtetasve shqiptarë që dëshirojnë të emigrojnë në mënyrë të rregullt, përkujdesen për emigrantët, si dhe nënshkruajnë apo propozojnë nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe ose shumëpalëshe në fushën e emigrimit për qëllime punësimi.

Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, si dhe agjencitë private të punësimit duhet t’u sigurojnë shtetasve shqiptarë që dëshirojnë të emigrojnë, informimin dhe këshillimin falas në fushën e formimit profesional, të shërbimeve të ndërmjetësimit për punësim, të mbrojtjes sociale, të organizimit në sindikata, të mundësive për strehim, arsimim dhe sigurime shoqërore, si dhe të njohjes së kushteve të jetesës e të punës në vendin pritës, nëpërmjet mjeteve mediatike, broshurave etj. Për këtë qëllim, në zyrat përkatëse të punësimit dhe aftësive, në varësi të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, funksionojnë sportelet e migracionit, të cilat ofrojnë shërbim informimi për shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të emigrojnë. Në nivel kombëtar, funksionojnë 12 Drejtori Rajonale dhe 24 Zyra Vendore të Punësimit.

http://shkp.gov.al/drejtorite-rajonale-zyrat-vendore-te-punesimit/


Ministria dhe Agjencia e sipërpërmendur kanë për detyrë të ndihmojnë në organizimin e kurseve të formimit orientues, pa pagesë, për mësimin e gjuhës ose të njohurive bazë për profesionet e kërkuara nga shteti pritës për shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të emigrojnë, si dhe për pjesëtarët e familjes së tyre, që do të emigrojnë apo do të ribashkohen me ta, me kusht që të jenë të regjistruar në dokumentin “Regjistri për emigrantët”. Çdo shtetas shqiptar që kërkon të emigrojë për qëllime punësimi, duhet të regjistrohet në “Regjistri për emigrantët”, pranë sporteleve të migracionit në zyrat përkatëse të punësimit. Regjistri qendror për emigrantët administrohet nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive në përputhje me Urdhrin Nr. 84, datë 6.06.2011, “Për formën, përmbajtjen e “Regjistrit për Emigrantët”.

Megjithatë, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive nuk jep ndonjë statistikë të veçantë për funksionimin e sporteleve të migracionit dhe veçanërisht, në lidhje me numrin dhe karakteristikat e personave të regjistruar për emigrim. Po ashtu, mungon edhe informacioni për kurset në të cilët duhet të trajnohen personat e regjistruar për emigrim. Por, në uebin e Agjencisë ka informacion të plotë për arsimin profesional dhe qendrat e arsimit profesional.  

    https://www.puna.gov.al/arsimiDheFormimi

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ushtron detyra dhe përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të emigrantëve shqiptarë, zgjidhjen e problemeve të tyre përmes rritjes së cilësisë së shërbimit konsullor, mbledhjen dhe shpërndarjen e informacionit mbi legjislacionin e punës në vendin pritës të emigrantëve, si dhe mbështetjen e shoqatave të emigrantëve dhe sigurimin e informacionit rreth  nevojave për hapjen e shkollave për mësimin e gjuhës shqipe.

Emigrantët shqiptarë, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur në organizatat dhe shoqatat e tyre, kanë të drejtë të kontaktojnë dhe të bashkëpunojnë me organet e qeverisjes qendrore dhe vendore të shtetit shqiptar, si dhe me përfaqësitë diplomatike e konsullore të Republikës së Shqipërisë në vendet pritëse, për të shprehur dhe mbrojtur interesat e tyre, duke respektuar dispozitat ligjore në fuqi. Pra, pavarësisht shtetit pritës ku ndodhen, emigrantët shqiptarë gëzojnë ndihmën dhe mbështetjen e autoriteteve shtetërore shqiptare për problemet ligjore të punësimit dhe qëndrimit të tyre në një vend të tretë.

Ligji njeh e rregullon edhe aktivitetin e agjencive private të punësimit. Këto agjenci ofrojnë shërbime informimi, këshillimi dhe vlerësimi të aplikimeve për punë, shërbime trajnimi dhe/ose bashkëpunimin me institucionet shtetërore për zhvillimin e kurseve të ndryshme, kërkimin e vendeve të punës dhe ndërmjetësimin ndërmjet punëkërkuesve shqiptarë dhe punëdhënësve të huaj.

Ligji përcakton se agjencitë private të punësimit duhet të përkujdesen për shtetasit shqiptarë për të cilët kanë ndërmjetësuar. Këto agjenci duhet të njoftojnë në fund të çdo gjashtëmujori ministrinë përgjegjëse për punësimin në lidhje me ndërmjetësimet e kryera dhe shtetasit shqiptarë të punësuar jashtë.

Nga ana tjetër, çdo institucion shtetëror ka për detyrë që, kur konstaton ose merr dijeni se një agjenci private punësimi ka përdorur praktika mashtruese për punësimin ose formimin e shtetasve shqiptarë jashtë, të njoftojë organet përgjegjëse të punësimit. Janë këto organe që ushtrojnë kontroll mbi veprimtarinë e agjencive private të punësimit dhe marrin vendimet përkatëse.