“Emigracion i sigurt për të rinjtë” shërben për të informuar të rinjtë për disa nga mënyrat dhe rrugët e duhura drejt një emigracioni të ligjshëm, duke synuar parandalimin e rreziqeve dhe mbrojtjen e të rinjve nga emigracioni i pasigurt.



Në kuadrin e lëvizjes së lirë, të rinjtë i shikojnë vendet e Bashkimit Evropian dhe të Amerikës së Veriut si potenciale për mundësi punësimi apo studimi. Shpeshherë, disa të rinj e nisin rrugëtimin drejt këtyre vendeve në mënyra të paligjshme dhe klandestine, duke mbartur me vete rreziqe dhe pasoja për jetën, shëndetin dhe personalitetin e tyre.

Save the Children inkurajon të rinjtë që të zhvillojnë potencialin e tyre në Shqipëri, por për ata që detyrohen të zgjedhin migrimin, kjo faqe i informon për rrugët dhe rregullat që duhet të ndjekin, drejt një emigrimi të sigurt dhe të ligjshëm.

Përmes projektit “Fuqizimi i të rinjve”, Save the Children ka mbështetur adoleshentët dhe të rinjtë, duke u ofruar mundësi për të zgjeruar njohuritë dhe zhvilluar aftësitë për jetën dhe ato profesionale, përfshirë rritjen e besimit, të motivimit dhe krijimin e qasjeve të shëndetshme, me qëllim që të bëjnë zgjedhjet e duhura në jetë, të sigurojnë punësim ose vetëpunësim dinjitoz në Shqipëri dhe të ushtrojnë të drejtat e tyre në aksesin për shërbime dhe pjesëmarrje aktive.